Spekulimet për martesën e këngëtares me famë botërore Taylor Swift dhe yllit të NFL-së, Travis Kelce, janë shtuar pas raportimeve se është paraqitur një kërkesë për mbylljen e disa rrugëve pranë Madison Square Garden në New York gjatë fundjavës së 4 Korrikut.
Zëdhënësja e zyrës së kryetarit të New Yorkut, Dora Pekec, konfirmoi për BBC se në fillim të qershorit është dorëzuar një kërkesë për mbylljen e rrugëve rreth arenës nga 2 deri më 4 korrik. Megjithatë, ajo nuk bëri të ditur se kush e ka paraqitur kërkesën, ndërsa CNN raportoi se emrat e Swift dhe Kelce nuk figurojnë në dokumentacion.
Sipas The New York Times, disa lojtarë të ekipit Kansas City Chiefs, ku luan Kelce, kanë rezervuar dhoma hoteli në afërsi të arenës. Po ashtu, policët e Amtrak, që kujdesen për sigurinë në stacionin Penn Station poshtë Madison Square Garden, janë njoftuar të jenë të përgatitur për një dasmë të mundshme të Swift gjatë fundjavës festive.
Raportimet thonë se më 2 korrik mund të organizohet një ceremoni private me rreth 100 të ftuar, ndërsa më 3 korrik një festë më e madhe, ku nuk përjashtohen edhe performanca muzikore.
Lajmi ka ngjallur reagime të shumta mes fansave. Disa e kanë cilësuar Madison Square Garden si një zgjedhje të pazakontë për një martesë, duke menduar se Swift do të zgjidhte një ambient më romantik, si rezidenca e saj në Rhode Island. Të tjerë, megjithatë, e konsiderojnë arenën një vend simbolik, pasi ajo lidh botën e muzikës dhe sportit, dy fushat ku çifti ka ndërtuar karrierën.
Një tjetër arsye që përmendet është siguria e lartë që ofron arena, me hyrje private dhe masa të rrepta që do ta bënin të vështirë fotografimin e çiftit dhe të ftuarve nga paparacët.
Taylor Swift dhe Travis Kelce njoftuan fejesën e tyre në muajin gusht, ndërsa deri më tani nuk kanë konfirmuar zyrtarisht datën apo vendin e martesës./A.K/
