UBT News

Specialja merr vendim për komunikimet dhe vizitat e Thaçit, Veselit dhe Selimit

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një komunikate për media, ka dhënë disa detaje për kufizimet që ka vendosur për tre të akuzuarit në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara – Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Sipas njoftimit thuhet se vendimi për kufizimin e kontakteve është marrë pasi Thaçi, Veseli dhe Selimi kishin tentuar të pengonin në dëshmitë e dëshmitarëve.

“ZPS-ja e ndërmori këtë hap si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë tek dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët. Hetimet e ZPS-së lidhur me pengimin e drejtësisë tregojnë se tre të akuzuarit përdorën vizitat jo të privilegjuara tek ata për të shpërndarë në mënyrë të paligjshme informacione konfidenciale dhe, në rastin e Thaçit, për t’i instruktuar vizitorët në mënyrë të përsëritur që të kërkojnë të manipulojnë dëshmitë e dëshmitarëve”, thuhet në komunikatë.

Më tej në njoftim thuhet se: “Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”.

Exit mobile version