UBT News

Specialja fton për intervistim edhe Latif Gashin

Ish-deputeti i PDK-së, Latif Gashi është ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim. Lajmi është konfirmuar nga Gashi përmes një statusi në Facebook. Ai tha se do të paraqitet për intervistim më 27 gusht.

“Ju njoftoj se sot kam pranuar një thirrje telefonike nga një hetues për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë. Ky intervistim do të bëhet me 27 gusht 2020. Si në shumë procese të deritanishme për liri dhe pavarësi: Ilegalja e hershme, ilegalja dhe formimi i UÇK-së, lufta e UÇK-së. Procesin e pavarësisë dhe atë të shtetndërtimit; Procese gjyqësore nga gjykata e UNMIK, ai nga Gjykata EULEX, (gjithsej 16 vite në shërbim të drejtësisë ndërkombëtare). Vetëm për të plotësuar standarde ndërkombëtare të pa drejta ndaj luftës së UÇK-së”, shkroi Gashi.

Ish-shefi i Shërbimit Ushtarak në Zonën Operative të Llapit tha se do të dëshmojë edhe njëherë se lufta e UÇK-së ka qenë dhe mbetet e drejtë.

“Tani dhe kurdo qoftë, unë dhe bashkëluftëtarët e mi edhe këtë herë do të dëshmojmë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë vendimtare e drejtë dhe do mbetet e tillë. Triumfuam falë mbështetjes së popullit të Kosovës dhe jashtë saj, gjakut të dëshmorëve dhe ndihmesës së NATO të prirë nga SHBA. Edhe kësaj radhe do të dalim faqebardhë, me dinjitet e krenar përjetësisht që kishim fatin ta ndërrojmë historinë nga robëria në liri”, përfundoi Gashi.

Exit mobile version