UBT News

​Specialja e konfirmon se ka pranuar letër nga ministrja Haxhiu

Dhomat e Specializuara të Kosovës e kanë konfirmuar se kanë pranuar një korrespodencë nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë për rastin e moslejimit të Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait.

Konfirmojmë se Dhomat e Specializuara kanë marrë letër nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës për këtë çështje. Ne nuk japim detaje mbi korrespondencën tonë nëse nuk bëhet pjesë e një dosjeje publike”, thuhet në përgjigjen gjykata.

Më 17 mars, Haxhiu njoftoi se do t’i drejtohet me një letër kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekatarina Trendafilova.

Proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta e të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit”, shkroi Haxhiu duke e konsideruar absurde mos lejimin e Thaçit të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.

Luka Misetiq, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi, njoftoi se Thaçi kishte bërë kërkesë të hënën para orës 14:00 për të marrë pjesë të martën në varrimin e babait të vet.

Gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi”, tha Gjykata Speciale në një deklaratë të martën.

Kjo, sipas gjykatës “për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa fillimisht janë gjithmonë konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale”.

Babai i Hashim Thaçit, Haxhi Thaçi vdiq të dielën vonë. Ai ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Të enjten ai u vizitua nga Hashim Thaçi, të cilit leje për vizitë i tha Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës.

Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.

Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.

Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Gjykimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023.

Bashkë me Thaçin, po gjykohen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Exit mobile version