Spanja është një hap më afër hetimit të akuzave për abuzim seksual të fëmijëve në Kishën Katolike, përcjell UBT News.
Të martën, parlamenti spanjoll ra dakord të shqyrtojë një propozim për një hetim, pasi që kanë kaluar vite pa një hetim në shkallë të gjerë.
Kisha Katolike Spanjolle deri më tani ka refuzuar të krijojë një komision të pavarur, pavarësisht se ka pranuar më shumë se 200 pretendime ekzistuese për abuzim gjatë njëzet viteve të fundit.
Një raport i veçantë i vitit 2018 nga El País ka renditur 1,246 viktima të dhunës seksuale nga Kisha që nga vitet 1930.
Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme e Spanjës u ka kërkuar 17 prokurorëve të lartë të vendit që të referojnë të gjitha ankesat për abuzim seksual në Kishë brenda dhjetë ditëve të ardhshme.
Lëvizja për të centralizuar të gjitha rastet e hapura është një tjetër hap i paprecedentë drejt një hetimi zyrtar.
Ndryshe nga vendet e tjera – si Franca, Gjermania dhe Irlanda – Spanja nuk ka arritur të shqyrtojë zyrtarisht pretendimet për pedofili kundër anëtarëve të Kishës Katolike.
Propozimi i parlamentit për një hetim do të votohet së shpejti ndonëse një datë ende nuk është caktuar.
“Ne do ta bëjmë atë dhe do ta bëjmë mirë” tha zëdhënësja e qeverisë, Isabel Rodríguez në një konferencë për shtyp të martën, duke shtuar se ekzekutivi po kërkon “zgjidhjen më të mirë të mundshme”./UBTNews/