Gjatë vizitës në Spanjë këtë javë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s u bëri thirrje vendeve anëtare të rrisin shpenzimet për ushtrinë përballë kërcënimit nga Rusia. Spanja shpenzon më pak për mbrojtjen në krahasim me madhësinë e ekonomisë së saj.
Ndërkaq, Presidenti amerikan ka veçuar Madridin për dështimin për të përmbushur objektivin e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes.
Spanja është ekonomia e katërt më e madhe e eurozonës. Megjithatë, vendi është në fund të listës kur bëhet fjalë për shpenzimet e mbrojtjes në aleancën 32 anëtarëshe të NATO-s.
Madridi shpenzoi rreth 21.3 miliardë dollarë për mbrojtjen vitin e kaluar, apo 1.28% të Prodhimit të saj të Brendshëm Bruto, pavarësisht zotimit që NATO ka bërë më 2014 për të shpenzuar të paktën 2%.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte vizitoi Spanjën dhe Portugalinë këtë javë dhe bëri këtë paralajmërim.
“Qëllimi për të shpenzuar 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, i miratuar para një dekade, nuk do të mjaftojë për të përballuar sfidat e së nesërmes. Kërcënimi nga Rusia mund të duket i largët, por ju siguroj se nuk është”, tha Rutte.
Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez, tha se Spanja është e përkushtuar për të arritur objektivin prej 2% deri në vitin 2029. Ai shtoi se shpenzimet për mbrojtjen ishin rritur me 70% gjatë dekadës së fundit. Kryeministri Sanchez shtoi se Madridi, në përgjithësi, ishte kontribuesi i 10-të më i madh i NATO-s.
Trupat spanjolle gjithashtu ndihmojnë për të trajnuar forcat ukrainase ndërsa Kievi lufton kundër agresionit rus.
Presidenti Trump e cilësoi kontributin e Spanjës në NATO si “shumë të ulët”. Ai gjithashtu kërkoi rritjen e objektivit të shpenzimeve për mbrojtjen.
“Do t’u kërkoj të gjitha vendeve të NATO-s që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një qëllim që duhej të ishte arritur vite më parë”, tha Presidenti Trump.