Kompania spanjolle e energjisë elektrike, Red Electrica de Espana (REE), ka përjashtuar mundësinë e një sulmi kibernetik si shkak të ndërprerjes masive të energjisë që preku të gjithë Gadishullin Iberik. Kjo deklaratë përputhet me qëndrimin e kryeministrit portugez, Luis Montenegro, i cili një ditë më parë tha se nuk ka indikacione që pas incidentit të fshihet një sulm i tillë.
Ndërprerja e energjisë elektrike ndodhi të hënën dhe shkaktoi kaos në transportin publik në Spanjë dhe Portugali, me ndërprerje trenash, pezullim të metrosë, semaforë jashtë funksionit dhe vonesa të mëdha në trafikun rrugor e ajror. Gjithashtu, një pjesë e Francës verilindore, pranë kufirit me Spanjën, u prek përkohësisht.
Në Spanjë, qindra njerëz u detyruan të evakuoheshin nga ndërtesat e zyrave, ndërsa dëshmitarët raportuan një prani të shtuar të forcave të rendit në rrugët e Madridit, përfshirë drejtimin manual të trafikut. Një nga katër kullat kryesore të Madridit, ku ndodhet edhe Ambasada Britanike, u evakuua si masë sigurie.
Mediat spanjolle raportuan se disa njerëz mbetën të bllokuar në ashensorë dhe në vagonët e metrosë, ndërkohë që një stacion i rëndësishëm si Legazpi u mbyll plotësisht.
Edhe në Portugali situata ishte e rëndë. Metroja në Lisbonë dhe Porto u ndërpre, ndërsa autobusët u tejmbushën nga pasagjerët që kërkonin mënyra alternative për të udhëtuar. Autoritetet konfirmuan se semaforët në të gjithë vendin kishin dalë jashtë funksionit. Kompania ajrore TAP raportoi se aeroporti i Lisbonës operonte me gjeneratorë rezervë, ndërsa AENA, operatori i aeroporteve në Spanjë, bëri të ditur se vonesat ishin të pranishme në të gjithë vendin.
Edhe turneu i tenisit “Madrid Open” u prek nga ndërprerja, duke detyruar pezullimin e ndeshjeve. Tenisti Grigor Dimitrov dhe kundërshtari i tij britanik, Jacob Fearnley, u larguan nga fusha pasi tabela elektronike dhe kamerat dolën jashtë funksionit.