Ministri spanjoll i Kulturës, Ernest Urtasun, tha se vendi do të tërhiqet nga pjesëmarrja në Eurovision 2026 nëse Izraeli nuk përjashtohet.
“Nuk mendoj se mund ta normalizojmë pjesëmarrjen e Izraelit në evente ndërkombëtare sikur s’po ndodh asgjë.”
Gjatë një interviste, Urtasun tha se pjesëmarrja e Izraelit në konkurs nuk mund të tolerohet.
“Ngjarje si Eurovision apo Vuelta a España sjellin një përfaqësim të veçantë të vendit”, tha ai duke iu referuar protestave kundër ekipit të çiklistëve Israel-Premier Tech gjatë këtij edicioni të garës.
“Në rastin e Eurovision nuk është një artist individual që merr pjesë, por dikush që merr pjesë në emër të qytetarëve të atij vendi.”
Urtasun tha se nëse Izraeli merr pjesë e “nuk ia dalim ta përjashtojmë, do duhen të merren masa”, rikujtoi se kryeministri Pedro Sánchez i kishte bërë thirrje më parë European Broadcasting Union, i cili organizon konkursin, për të mos lejuar Izraelin në konkursin ndërkombëtar.
Urtasun theksoi se denoncimi i “gjenocidit” në Gaza nuk është antisemitik dhe e përshkroi Izraelin si “qeveri gjenocidale”.
Ai sqaroi se vendimi i tërheqjes nga Eurovision do të jetë në dorën e RTVE (Korporata Spanjolle e Radios dhe Televizionit), e cila ka shprehur shqetësim për pjesëmarrjen e Izraelit në Eurovision pas vitit të shkuar.
Edhe drejtuesi i transmetuesit kombëtar slloven, RTVSLO, ka njoftuar se me gjasë vitin e ardhshëm do të tërhiqet nga konkursi nëse Izraeli merr pjesë.