Spanja e ka njohur të martën edhe zyrtarisht shtetin palestinez, ndërsa njëjtë do të veprojnë edhe Irlanda dhe Norvegjia, më vonë gjatë ditës.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë të martën në mëngjes vendi i tij do ta njohë shtetësinë palestineze, duke përfshirë Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor me Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e tij.
Megjithatë, ai ka thënë se Spanja nuk do të njohë asnjë ndryshim të kufijve të përcaktuar më 1967, përveç nëse pajtohen palët.
“Njohja e shtetit të Palestinës është nevojë e domosdoshme, nëse të gjithë ne dëshirojmë të arrijmë paqen”, ka thënë ai.
Ky vendim është dënuar ashpër nga Izraeli dhe është parë si “shpërblim” për Hamasin – grupin palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – që udhëheq Gazën.
Këto tri shtete evropiane besojnë se iniciativa e tyre ka ndikim të madh dhe që do t’i inkurajojë edhe vendet tjera të veprojnë njëjtë.
Ato përmendin edhe rolin historik të Norvegjisë dhe Spanjës në avancimin e përpjekjeve për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve./REL