Qeveria e kryeministrit socialist, Pedro Sanchez nga muaji korrik do të përfshijë “përgjithmonë” vajin e ullirit në listën e “nevojave bazë” të cilat janë të përjashtuara nga taksa, njoftoi Ministria e Financave përmes një deklarate.
Ky është “lajm i mrekullueshëm për të gjithë spanjollët”, tha zëdhënësja e qeverisë, Pilar Alegria, gjatë një interviste për stacionin televiziv privat Antena 3.
Kjo masë, e cila do të miratohet gjatë një takimi të kabinetit i cili pritet të mbahet javën e ardhshme, do të “lehtësojë barrën mbi portofolin e spanjollëve” si dhe të mbështesë sektorin e ullirit dhe të stimulojë konsumin e një produkti që është kaq i rëndësishëm.
Supermarketet kanë raportuar rritje të vjedhjeve të shisheve të vajit të ullirit pasi çmimi i tyre është rritur, duke shtyer disa shitës me pakicë t’i vendosin ato me etiketa sigurie që zakonisht shihen në artikuj të kushtueshëm si alkooli, ndërsa shitjet e alternativave më të lira si vaji i farave të lulediellit janë rritur./UBTNews/