Spanja do t’i dërgojë Ukrainës bateri kundërajrore dhe raketa për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus në muajin shkurt, tha të mërkurën Ministria e Mbrojtjes e Spanjës.
Në dërgesën e fundit të ndihmës ushtarake të Madridit do të përfshihen gjithashtu 1 mijë fishekë municione artilerie fushore, një mijë ton naftë, automjete të ndryshme të blinduara dhe 30 mijë uniforma dimërore, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.
“Përkon me muajin e gjashtë të luftës në Ukrainë, dhe me Ditën e Pavarësisë (të Ukrainës), Spanja vazhdon të mbështesë popullin ukrainas në luftën e tyre për të mbrojtur paqen dhe lirinë kundër pushtimit rus”, thuhet në deklaratë.
Spanja do të trajnojë trupat ukrainase në funksionimin e baterisë kundërajrore dhe gjithashtu do të sigurojë trajnime për personelin e forcave ajrore ukrainase “në një vend aleat”, por vendi nuk u specifikua, thuhet në deklaratë.
Spanja prillin e kaluar njoftoi për dërgimin e 200 tonëve municione dhe ndihma të tjera ushtarake në Ukrainë./UBTNews/