Zyra Kombëtare e Auditimit u ka bërë thirrje zyrtarëve përgjegjës që të kenë vëmendje më të theksuar në menaxhimin e pronave publike për të cilat auditori ka vënë në pah parregullsi, si në procesin e shitjeve dhe në dhënien me qira. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka theksuar se ky institucion ka gjetur gabime në raportin vjetor të Qeverisë për vitin 2023. Siç tha ajo, arsyeja që ka ndikuar në modifikim të opinionit është se vlera e gabimeve në disa komponente të Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2023 ishte materiale.
Në një konferencë për media, Spanca derisa ka bërë të ditura të gjeturat nga ky institucion, ka thënë se një prej tyre është një numër kontratash për projekte kapitale janë nënshkruar në mungesë të fondeve, por edhe pa u miratuar këto fonde me ligj, në veçanti në nivelin lokal.
“Për Raportin Vjetor Financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës është dhënë: Opinion i Modifikuar përkatësisht Opinion i Kualifikuar. Arsyeja që ka ndikuar në modifikim të opinionit është se vlera e gabimeve në disa komponente të Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2023 ishte materiale. Ndërsa, çështjet të cilat kanë ndikuar në opinion janë, klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve në vlerë prej 25 milionë euro. Prej tyre mbi 11 milionë euro i takojnë nivelit qendror, ndërsa mbi 14 milionë euro i takojnë nivelit lokal”,tha Spanca.
Derisa ka shtuar se klasifikimi i gabuar i shpenzimeve ka ndodhur si rezultat i pagesave të bëra me vendime gjyqësore në vlerë prej mbi 11 milionë eurove, buxhetimit jo adekuat prej afër 9 milionë euro dhe të ndikuara nga vetë organizatat buxhetore mbi 5.3 milionë euro.
“Klasifikimi i gabuar i shpenzimeve ka ndodhur si rezultat i pagesave të bëra me vendime gjyqësore në vlerë prej mbi 11 milionë eurove, buxhetimit jo adekuat prej afër 9 milionë euro dhe të ndikuara nga vetë organizatat buxhetore mbi 5.3 milionë euro, nënvlerësim i pasurive në organizata buxhetore në vlerë prej afër 21 milionë euro, kjo për shkak të mos regjistrimit të plotë të pasurive, regjistrimit të gabuar, apo zhvlerësimit jo adekuat, llogaritë e arkëtueshme ishin nënvlerësuar në vlerë prej 2.4 milionë euro dhe detyrimet kontingjente, të cilat janë rezultat i pretendimeve përmes padive gjyqësore ndaj organizatave buxhetore janë nënvlerësuar për afër 20 milionë euro… Derisa për 12 ndërmarrjet publike të audituara, janë dhënë 4 opinione të kundërta, 5 të kualifikuara dhe 3 opinione të pa modifikuara”, shtoi Spanca.
Ajo tha se edhe për auditimet individuale, për 35 organizata buxhetore, opinionet e auditimit ishin jo të mira, edhe pse krahasuar me vitin paraprak ka përmirësim në cilësinë e raportimit financiar.
Ndërsa, ka bërë të ditur se një numër kontratash për projekte kapitale janë nënshkruar në mungesë të fondeve, por edhe pa u miratuar këto fonde me ligj, në veçanti në nivelin lokal.
“Një numër kontratash për projekte kapitale janë nënshkruar në mungesë të fondeve, por edhe pa u miratuar këto fonde me ligj, në veçanti në nivelin lokal. Kjo e kërcënon buxhetin e shtetit me kosto shtesë të pa planifikuara, ndërsa mungesa e kontrolleve në këto projekte mund të rezultojë edhe në keq menaxhim të tyre”,tha Spanca.
Ky raport përfshin opinionin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe përmbledhjen e rezultateve kryesore të punës audituese për sezonin auditues 2023/2024.
Me finalizimin e këtyre raporteve, Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur që të përmbush planin vjetor për sezonin auditues 2023/2024, duke kryer gjithsej 126 auditime. Prej tyre, 86 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për organizatat buxhetore, 12 auditime të ndërmarrjeve publike, 14 auditime të performancës, nëntë auditime të projekteve të Bankës Botërore, si dhe pesë auditime të pajtueshmërisë.
Në këto raporte janë identifikuar gjithsej 817 gjetje për të cilat ka dhënë rekomandime.