UBT News

SpaceX arrin një tjetër arritje historike me Starship

SpaceX ka shënuar një tjetër moment historik në programin e saj ambicioz hapësinor, pasi raketa Starship përfundoi me sukses fluturimin e saj të 11-të provë nga Starbase në Teksas.

Ky ishte fluturimi i fundit i versionit të dytë të raketës (V2) përpara kalimit në Starship V3, një version më i avancuar dhe më i fuqishëm.

Nisja u realizua në orën 2:23 të mëngjesit,të gjitha fazat e misionit u kryen me saktësi. Ndarja me Super Heavy ishte e suksesshme, ndërsa të dyja pjesët, raketa dhe anija kozmike Starship kryen ulje të kontrolluara: Super Heavy në Gjirin e Meksikës dhe Starship në Oqeanin Indian.

Misioni përfshiu rinisjen e motorit në hapësirë, provë kritike për udhëtimet e ardhshme drejt Hënës dhe Marsit, si dhe lëshimin provë të tetë satelitëve Starlink. Përveç kësaj, SpaceX testoi një strategji të re zbritjeje për Super Heavy, duke përdorur 13 motorë për frenim dhe 5 motorë për fazën përfundimtare, duke rritur sigurinë për versionet e ardhshme të raketës.

Elon Musk ndoqi fluturimin nga Starbase dhe e përshkroi si një “përvojë të menjëhershme dhe prekëse”.

Platforma e lëshimit Pad 1 në Starbase do të përmirësohet për të mbështetur Starship V3, i cili do të jetë 400 metra i lartë dhe do të ketë 42 motorë Raptor, tre më shumë se versioni aktual.

Starship është një sistem hapësinor plotësisht i ripërdorshëm, i aftë të transportojë deri në 150 ton ngarkesë në orbitë.

NASA ka zgjedhur Starship si mjetin për programin Artemis 3, që synon të çojë njerëzit në Hënë në vitin 2027.

Suksesi i Fluturimit 11, i dyti radhazi pas Fluturimit 10, konfirmon besueshmërinë e Starship V2, arritur pas shumë sfidash dhe disa dështimeve spektakolare gjatë provave të mëparshme. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version