Nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-Presidenti Donald Trump mbajtën fjalimet e tyre të fundit para votuesve të hënën në të njëjtën pjesë të Pensilvanisë, afërsisht në të njëjtën kohë, duke kaluar ditën e fundit të fushatës presidenciale në një shtet që mund të jetë vendimtar në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Dy kandidatët mbajtën tubime elektorale në këndin juglindor të Pensilvanisë. Zoti Trump bëri fushatë në Reding, rreth 48 kilometra larg qytetit të Allentaunit, ku demokratja Harris mbajti një fjalim rreth gjysmë ore më vonë.
“Fitorja në Pensilvani do të na jepte fitoren në zgjedhjet në të gjithë vendin”, tha zoti Trump.
Në të vërtetë, një fitore e zotit Trump në Pensilvani, një shtet me 19 vota në Kolegjin Elektoral, do të vështirësonte përpjekjen e zonjës Harris për të siguruar 270 votat e nevojshme për të fituar zgjedhjet presidenciale.
Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris e kaloi gjithë të hënën në Pensilvani, shteti i pavendosur me numrin më të madhe të votave në Kolegjin Elektoral, duke theksuar nevojën për të fituar në këtë shtet.
“Ne kemi nevojë që të gjithë në Pensilvani të votojnë”, tha ajo. “Vota juaj do të jetë vendimtare në këto zgjedhje.”
“A jeni gati?”, tha zonja Harris para një tubime fushate më herët në Skranton, me një tabelë të madhe “VOTO PËR LIRI” mbrapa saj.
Zoti Trump shkoi fillimisht në Karolinën e Veriut përpara se të vizitonte qytetin Reding në Pensilvani. Ai më pas shkoi në anën tjetër të Pensilvanisë, në qytetin e Pitsburgut, përpara se të mbyllte fushatën me një tubim elektoral në Grand Rapids të Miçiganit. Zoti Trump ka mbajtur tubimin e tij të fundit elektoral në këtë qytet edhe në zgjedhjet e viteve 2016 dhe 2020.
Ish-Presidenti Trump në Karolinën e Veriut më herët foli për politikat e tij të ashpra të imigracionit dhe u përqendrua në disa nga kritikat e tij të zakonshme ndaj rivalëve demokratë. Ai gjithashtu dukej se i referohej videos që gati fundosi fushatën e tij të vitit 2016, ndërsa shprehu habinë për dy krahët gjigantë mekanikë që kapën raketën e ripërdorshme të Elon Muskut, “sikur të kapësh fëmijën tënd të bukur”.
“Shikoni, unë jam përmirësuar shumë. Vite më parë, do të kisha thënë diçka tjetër. Por unë kam mësuar”, tha zoti Trump, duke shkaktuar të qeshura nga turma. “Do të kisha qenë pak më i rrezikshëm.”
Në javët e fundit të fushatës së vitit 2016 u publikuan disa kaseta të emisionit “Access Hollyëood”, në të cilën zoti Trump mburrej për kapjen e grave nga organet e tyre gjenitale.
Ish-Presidenti Trump do të bëj fushatë në qytetet Reding dhe Pitsburg në Pensilvani, në të cilat po bën fushatë edhe demokratja Kamala Harris. Kandidati republikan për president do ta mbyllë fushatën e tij ashtu siç i mbylli dy të parat, me një tubim natën vonë në Grand Rapids të Miçiganit.