UBT News

Sot vaksinohen pacientët me hemodializë

Procesi i vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë sot do të vazhdojë me vaksinimin e pacientëve të hemodializës, por krahas tyre do të vaksinohen edhe profesionistët shëndetësorë, si dhe personat mbi moshën 80-vjeçare.

Ministria e Shëndetësisë njofton se vaksinimi në Prishtinë do të bëhet në qendrën “1 Tetori”, kurse për të tjerët, në njësitë e vaksinimit të QKMF-ve në komunat përkatëse ku ata banojnë.

Kurse duke filluar nga data 16 prill 2021 (e premte), për disa ditë me radhë në Prishtinë dhe në të gjitha komunat, do të fillojë vaksinimi i personave të moshës 75-79 vjeç me sëmundje kronike, sipas listës së diagnozave të pacientëve me sëmundje kronike, të dëshmuar me raport mjekësor me rastin e paraqitjes për vaksinim.

“Numri i personave që do të vaksinohen nga kategoria e të prekurve nga sëmundjet kronike brenda grupmoshës 75-79 vjeç, varet nga numri i dozave të vaksinës kundër Covid-19 në dispozicion”, thuhet në njoftimin e MSh-së./UBTNews

Exit mobile version