UBT News

Sot u regjistrua numri më i lartë i rasteve pozitive për këtë vit, IKShPK thirrje të respektohen masat

Sot në Kosovë u raportuan tetë raste të vdekjes si pasojë e COVID-19 dhe u regjistruan 828 raste të reja. Kjo është shifra më e lartë e rasteve pozitive në këtë vit, dhe vetëm në kryeqytet janë raportuar 361 raste pozitive me COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndeitt Publik të Kosovës përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

“Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit”, thuhet në reagimin e Institutit.

Andaj IKShPK rekomandon:

1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;

2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;

3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;

4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;

5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës.

IKShPK vlerëson se këto masa mund të ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.

IKShPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

“Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike. Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë. Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Institutit./UBTNews

Exit mobile version