Deputetët e zgjedhur do të mblidhen për herë të dytë brenda 24 orëve, në vazhdimin e njëzet e shtatë të seancës konstituive, e cila nuk po gjen fund që kur ka nisur më 15 prill.
Njëzet e gjashtë vazhdimet e deritanishme nuk sollën progres sa i përket zgjidhjes së kreut të legjislativit.
Vazhdimi i seancës konstituive do të jetë nga ora 11:00 dhe ajo mbahet sot për shkak të festës së Kurban Bajramit ditën e premte.
Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa po këmbëngulin që Albulena Haxhiu të jetë kryetare e re e Kuvendit, por ministrja në detyrë e Drejtësisë nuk po gjen 61 votat e nevojshme.
Gjykata Kushtetuese ende nuk ka kthyer përgjigje për kërkesën e parashtruar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbi mënyrën e fshehtë të votimit të kreut të ri të Kuvendit sikurse po kërkojnë Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa përmes krijimit të një komisioni për mbikëqyrjen e votimit./KosovaPress