I pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti pritet që sot të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Takimi Kurti-Abdixhiku pritet të mbahet në ora 11:00 në objektin e Qeverisë së Kosovës.
Takime këto të thirrura nga kryeministri Kurti për të diskutuar për çështjet me interes nacional për çka kishte deklaruar vazhdimisht se për këto çështja do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunimin e mirëfilltë të partive dhe liderëve të opozitës.
Pjesëmarrjen në këtë takim e ka konfirmuar për KosovaPress ditë më parë Abdixhiku.
Kreu i Qeverisë fillimisht ka takuar liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, takim ky që u mbajt të martën në objektin e Qeverisë.
Kryeministri Kurti e njoftoi Haradinaj për takimet që pati me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe për përgatitjet për procesin e dialogut të ardhshëm me Serbinë.
Ndërkohë që Haradinaj kërkoi përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog krahas Bashkimit Evropian ku edhe theksoi gatishmërinë e tij dhe të AAK-së për bashkëpunim me Qeverinë për tema të interesit nacional.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i dërguar ftesë për takim edhe Partisë Demokratike të Kosovës por që këtë takim e ka refuzuar, ushtruesi i detyrës së kësaj partie, Enver Hoxhaj.