UBT News

Sot shpallet dënimi i shkallës së dytë mbi Ratko Mlladiqin

Gjykata Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, e njohur si Tribunali në Hagë, do të shpallë një vendim përfundimtar mbi ish-komandantin e Ushtrisë së serbëve, Ratko Mlladiqin, i cili u dënua me burgim të përjetshëm në shkallën e parë për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit kundër boshnjakëve gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ratko Mlladiq ka qenë në paraburgim në Scheveningen që nga 31 maji i vitit 2011. Ai u arrestua nga autoritetet serbe më 26 maj të po atij viti, në Lazarevo afër Zrenjanit dhe u dorëzua në Tribunal.

Gjyqi zgjati nga 16 maji i vitit 2012 deri më 15 dhjetor të vitit 2016. Gjatë 530 ditëve të punës, u dëgjuan 169 dëshmitarë të prokurorisë dhe 208 dëshmitarë të mbrojtjes. Deklaratat me shkrim të 214 dëshmitarëve të tjerë u pranuan gjithashtu si prova. 9 mijë e 914 ekspozita u pranuan.

Gjykata e Hagës akuzoi Mlladiqin për herë të parë më 25 korrik të vitit 1995 dhe padia u ndryshua disa herë deri në vitin 2011./UBTNews

(Driton Hyseni, Media dhe Komunikim në UBT)

Exit mobile version