Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) mbrëmë është përmbyllur numërimi i votave nga diaspora. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpall sot rezultatet përfundimtare, në ditën e 18 pas ditës së zgjedhjeve, ashtu si më 2014 dhe 2017.
Kësaj radhe janë rinumëruar më shumë vendvotime, gjithsej 564 dhe janë numëruar më shumë se 32 mijë vota me kusht dhe rreth 57 mijë vota të ardhura përmes postës.
Kujtojmë se me shpalljen e sotme të rezultatit përfundimtar nuk përmbyllet procesi zgjedhor pasi janë subjektet politike dhe kandidatët, të cilët kanë të drejtë të paraqesin ankesat e tyre në Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me këto rezultate.
Ankesat mund të paraqiten brenda 24 orësh nga moment i shpalljes së rezultatit nga ana e KQZ-së dhe PZAP duhet të marrë vendim brenda tre ditësh.
Nëse palët janë të pakënaqura me vendimet e PZAP, atëherë të njëjtat mund t’i drejtohen brenda 24 orëve Prokurorisë dhe Gjykatës Supreme, e cila gjithashtu ka 3 ditë kohë për të vendosur lidhur me ankesat në fjalë.
Vetëm pas kësaj, KQZ mund të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe t’i hap rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës.