Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kur janë bërë 23 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe mbi 1 mijë e 600 persona figurojnë si të zhdukur.
Kjo ditë do të shënohet me disa aktivitete në Kosovë. Kryqi i Kuq i Kosovës do të ekspozojë 35 fotografitë e realizuara me familjarët e të zhdukurve në sheshin “Skënderbeu” Prishtinë, duke filluar nga ora 09:00, pastaj në orën 10:30 bëhen homazhe te Obelisku para Kuvendit të Kosovës, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Kurti.
Kurse YIHR KS nëpërmjet aksionit rrugor “Dera e Pritjes”, solidarizohet me dhimbjen dhe revoltën e familjarëve dhe shoqërisë më gjerë për zbardhjen e së vërtetës dhe gjetjen e drejtësisë, në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 12:00.
E kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka siguruar një hapësirë e cila do të shërbejë për nevojat e Shoqatës së të pagjeturve të Kosovës dhe zyrtarisht ia dhuron çelësin e zyrës kryetarit të kësaj shoqate në orë 13:00.
Gjithashtu do të bëhet promovimi i librit ‘Fëmijëri të rrëmbyera’, realizuar nga forumZFD – Programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur. Ndërsa, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) prezanton publikimin “Memorializimi, roli dhe rëndësia e tij në ballafaqimin me të kaluarën”. Pas prezantimit do të pasojë një debat rreth kulturës së memorializimit në Kosovë dhe rajon.
Në Krushë të Madhe përkujtohen familjarët e zhdukur në luftë, 25-26-27 mars të vitit 1999, ku në shenjë respekti për ta do të ndezen 64 flakadanë, në orën 19:00.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6 mijë e 500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.