Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të rikthehen në sallën e seancës plenare. Pas pushimit veror, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka në bazë të kompetencave të tij dhe në koordinim me kryetarët e grupeve parlamentare, vendosi që seanca e parë plenare për sesionin vjeshtor, të mbahet sot prej orës 10:00.
Në këtë seancë, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të shqyrtohet propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësim në komisione parlamentare, për të vijuar me shqyrtimin në parim të tri projektligjeve: Projektligjit nr. 08/L-156 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-124 për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligjit nr. 08/L-157 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 06/L-123 për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe Projektligjit nr. 08/L-158 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-122 për Ministrinë e Mbrojtjes.
Në vazhdim të seancës, deputetët do të debatojnë për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), për t’iu kthyer serish shqyrtimit të projektligjeve. Kështu, në parim do të shqyrtohen dy projektligje të tjera: Projektligji nr.08/L-123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, si dhe Projektligji nr.08/L-147 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
Po ashtu pritet edhe shqyrtimi i gjashtë raporteve: raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.05/L-003 për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës, si dhe raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.06/L-010 për Noterinë.
Pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.