Seanca e dytë dëgjimore e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, do të mbahet sot, në orën 15:00.
“Gjatë pjesës së parë të seancës, z. Mustafa do t’i kërkohet të vetëdeklarohet fajtor ose i pafajshëm në lidhje me akuzat kundër tij të paraqitura në Aktakuzën e konfirmuar, në përputhje me rregullën 92(2)(c) të Rregullores. Nëse i akuzuari nuk vetëdeklarohet në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, gjykatësi i procedurës paraprake bën deklarim pafajësie në emër të të akuzuarit në përputhje me rregullën 92(2)(f) të Rregullores. Pjesa e dytë e seancës do të shërbejë si konferencë e dytë për ecurinë e çështjes.”, bëhet e ditur në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.
Salih Mustafa arrestua më 24 shtator në Prishtinë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës./UBTNews