UBT News

Sot samiti “Ballkani i Hapur” në Tiranë, kjo është agjenda

Tirana sot do të jetë qyteti mikpritës për takimin e radhës së Ballkanit të Hapur, që kësaj here veç Këshillit të Atlantikut do të përfshijë edhe Komisionin Evropian.

Tashmë është zbardhur agjenda e takimit ku liderët e tri vendeve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të zyrtarizojnë këtë iniciativë që synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve duke nënshkruar pesë marrëveshje.

Sipas agjendës, takimi do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave.

Në ora 09:30 pritet nisja e seancës plenare me fjalën hyrëse të kryeministrit Edi Rama.

Në orën 10:45 do të zhvillohen diskutimet e liderëve për të ardhmen e Agjendës së “Ballkanit të Hapur” dhe në orën 11:30 do të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve.

Në orën 12:00 do të mblidhet Forumi i Agrikulturës dhe Kooperimit Rajonal.

Ndërsa në orën 13:00 parashikohet një konferencë për shtyp.

Mbrëmë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka postuar një fotografi nga darka zyrtare në Elbasan me kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev. Krahas fotografisë ai ka shkruar se “Open Ballkan” është një iniciativë shumë e mirë për qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit.

E dje në Tiranë u protestua kundër iniciativës “Ballkani i Hapur”. Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka deklaruar se kjo nismë dhe të gjitha marrëveshjet e saj do të anulohen sapo Partia Demokratike të jetë në pushtet.

Gjatë fjalimit në protestë ai tha se ky projekt është i papranueshëm dhe i rrezikshëm dhe bie ndesh me procesin e Berlinit për integrimet e vendeve të rajonit në familjen e madhe evropiane.

Kurse kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk do të bëhet pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”.

“Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet e luftës, dhe nuk e njeh pavarësinë, të bëhemi bashkë e të vendosim me shumicë votash aty”, pati deklaruar Kurti.

Exit mobile version