Të martën në Bruksel mbahet takimi i radhës në nivel kryenegociatorësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ndërsa ai i Serbisë nga Petar Petkoviq.
Përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës nga ora 11:00 do të kenë bisedime bilaterale me diplomatin sllovak Miroslav Lajçak. Ndërsa delegacioni serb me Lajçak do të takohet në orën 09: 30.
Nuk dihet se çfarë do të jetë në rendin e ditës dhe nëse pas bisedimeve dypalëshe do të mbahet një takim trepalësh i dy delegacioneve me ndërmjetësuesit e BE-së.
Ndërkohë që ditë më parë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryezi derisa konfirmoi për takimin e sotëm, tha se temë e diskutimit do të jetë çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, energjisë dhe lëvizja e lirë.
“Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në takimin e paraparë për datën 16 nëntor 2021 në Bruksel në nivel kryenegociatorësh. Temat e diskutimit në takimin bilateral do të jenë çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, e energjisë dhe lëvizja e lirë”, tregoi Kryeziu.