Ditën e sotme Partia Demokratike do të mbajë protestën e thirrur prej saj në orën 20:00 para kryeministrisë në Tiranë.
Protesta u njoftua para disa javësh, kur Gjykata e Apelit i dha vulën e PD ish-kryeministrit Sali Berisha.
Moto e protestës së demokratëve është “të bashkuar në betejë” kundër varfërisë dhe skandaleve ku janë të përfshirë disa zyrtarë pranë qeverisë.
Prej disa ditësh, anëtarët e PD janë angazhuar dhe kanë dalë në terren për të shpërndarë fletëpalosje dhe për të ftuar qytetarët në tubimin e thirrur prej tyre.
“Tirana po zien kudo! Padurimi i qytetarëve për protestën e nesërme është në limite! Jam i bindur se 11 korriku do të shënojë protestën më të madhe të organizuar ndonjëherë në vend!
Mos mungo, eja dhe ti.
Rinia, qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë do derdhen në bulevard, më shumë se kurrë e më të vendosur se kurrë”, shkruan Belind Këlliçi në një postim në rrjetin social Facebook.
Por prijësi i këtij tubimi do të jetë ish kryeministri Sali Berisha. Edhe pse në arrest shtëpie, Berisha pritet të jetë i pranishëm virtualisht, ashtu siç ka ndodhur edhe në protestë të më parshme.
Por në një kohë kur qytetarët dhe demokratët do protestojnë poshtë zyrës së tij, kryeministri Edi Rama nuk do të jetë në institucionin që drejton. Kjo pasi ai ndodhet në SHBA, ku mori pjesë në samitin e 75-vjetorit të NATO-s. Samiti nisi këtë të martë, 9 korrik, në Uashington dhe punimet do të zgjasin deri të enjten.
Qëllimi i opozitës për këtë protestë është krijimi i qeverisë teknike.
“Armiku ynë i përbashkët është Edi Rama. PD ka nevojë jo vetëm të bashkohet me të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, por ka nevojë të bashkohet më shumë se kurrë, me të gjithë spektrin opozitar.Detyra jonë është një dhe vetëm një, krijimi i Qeverisë teknike dhe shpëtimi i vendit nga ky regjim”, tha Berisha pak kohë më parë./vizionplus.tv