Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të zhvillojë një takim pune me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Takimi i kryeministrit Kurti me kryetarit e partisë opozitare, Memli Krasniqi do të mbahet në njërin nga hotelet në Prishtinës, duke nisur nga ora 18:30. Ndërkohë këtë takim e kanë refuzuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me arsyetimin se për temat e parapara që do të diskutohen, i kanë shefat e grupeve parlamentare në Kuvend të cilët japin kontributin e tyre në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për takim, por ka paralajmëruar se pjesëmarrja e kryetarit Memli Krasniqi do të jetë në funksion të diskutimit mbi mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja.
Kryeministri Albin Kurti ka komentuar përgjigjet e partive opozitare për ftesën e tij për darkën e punës, ku temë diskutimi është paralajmëruar agjenda e Kuvendit për sesionin pranveror.