UBT News

Sot pritet të miratohen masat e reja antiCOVID

Sot pritet të miratohen masat e reja antiCOVID, kjo pasi tashmë edhe Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë për vlerësimin e situatës epidemiologjike ka shqyrtuar masat që do të vendosen.

Në takimin e këtij komiteti që u mbajt të enjten, e që pjesë ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u vendos që të lehtësohen masat të cilat u morën me 21 janar e që hyrën në fuqi menjëherë me 22 janar.

Komiteti në mbledhjen e së enjtes ka propozuar që kufizimi i lëvizjes të jetë nga ora 24:00, ndërsa gastronomia të lejohet të ushtrojë veprimtarinë deri në orën 23:00. Po ashtu është propozuar që të lejohet hyrja në Kosovë me dy vaksina, pa pasur nevojë as për testin PCR, masë kjo që nxiti reagim jo vetëm të qytetarëve por edhe të institucioneve të vendeve fqinje.

Pas mbledhjes së komitetit, ministri Latifi tha se masat pritet që të premten (sot) të votohen në Qeveri, e të shtunën të hyjnë në fuqi.

“Ne kemi vendosur në bazë të masave që kemi pasur deri tani, ato kanë treguar efekt shumë të mirë kështu që ne do t’i lehtësojmë shumicën prej këtyre masave. Për shembull hyrja në kufi do të jetë më dy vaksina, ne i kemi propozuar nesër qeveria duhet me i aprovuar sigurisht. Nëse i ka dikush dy vaksina ose tri mund të hyjë në Kosovë ai që ka vetëm 1 duhet me pas test. Kjo e famshmja që po i themi ne ora policore është shtyrë deri në orën 24:00, dhe fitneset do të hapen. Por qëllimi kryesore që të kërkoni nga të gjithë këta të restoranteve, lokaleve, të shtëpive të mallra qendrave tregtare që hyrja të kufizohet për vetëm ata që kanë vaksina”, tha ai.

Kujtojmë që masat e vendosura më 21 janar erdhën pas rritjes së numrit të rasteve pozitive me COVID-19.

Në raportin e fundit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njoftoi për pesë vdekje dhe 2.110 raste të reja me COVID-19. Aktualisht në vend janë 30 mijë e 871 raste aktive me koronavirus.

Me më së shumti raste vazhdon të jetë Komuna e Prishtinës. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), në kryeqytet janë 7 mijë e 582 raste aktive me COVID-19, e pasuar nga Peja me 2 mijë e 450, Prizreni 2 mijë e 288, Gjilani 2 mijë e 238, Fushë Kosova 1 mijë e 540, Ferizaj 1 mijë e 459, Mitrovica 1 mijë e 442, Gjakova 1 mijë e 433, Lipjani 1 mijë e 338, Vushtrria 1 mijë e 7 raste si dhe komuna të tjera me qindra raste aktive.

Exit mobile version