Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot për ta vazhduar seancën konstituive të nisur më 15 prill, e cila mbetet e bllokuar në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Vazhdimi i gjashtë i kësaj seance pritet të nisë në orën 10:00.
Bllokada ka ardhur pasi kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka siguruar përkrahjen e partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Emri i saj është hedhur në votim tri herë, por në asnjë rast nuk ka arritur të marrë shumicën e nevojshme të votave.
Zhvillimet e sotme pritet të jenë vendimtare për ecurinë e konstituimit të plotë të Kuvendit.