UBT News

Sot pritet të fillojë numërimi i votave me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po synon që sot të përfundojë numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës dhe të fillojë atë me kusht.

Këtë e tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, dje, në deklarimin për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, aty ku po vazhdonte ky numërim.

Pas përmbylljes së këtij procesi, tha se aty do të nisë një tjetër numërim. E radha, sipas tij, është për votat me kusht nga 56 vendvotime sa ishin më 9 shkurt në gjithë Kosovën.

 “Ne besojmë që brenda një kohe të shpejtë, deri ditën e martë do të arrijmë të përmbyllim numërimin e të gjitha fletëvotimeve që i takojnë votimit me postë, dhe pas kësaj do të mund të fillojmë me numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht, si dhe pastaj numërimit të votave të personave me nevoja të veçanta”, ka thënë Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dje, ka dalë me të dhënat më të reja nga numërimi i fletëvotimeve të ardhura përmes postës, proces që po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Deri të hënën, më 3 mars, në orën 16:00, në këtë qendër janë numëruar 143 nga 187 kuti të votimit që i takojnë votuesve nga komuna të ndryshme. Aktualisht, në proces të numërimit janë fletëvotime të ndara në kuti të votimit nga komunat Vushtrri, Junik, Ferizaj, Prizren, Shtime dhe Suharekë”, thotë KQZ-ja.

Sipas tyre, procesi i numërimit është transparent dhe po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar.

Exit mobile version