Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga telenovela e zgjedhjes së kryetarit të ri të legjislaturës së nëntë dhe duket se një gjë e tillë do të vazhdojë pafund.
Tridhjetepesë vazhdime të deritanishme përfunduan me dështime për shkak të mungesës së votave të Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo e Alternativa për Albulena Haxhiun kryetare e re e Kuvendit.
Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot për herë të tridhjetegjashtë në vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit të ri duke filluar nga ora njëmbëdhjetë.
Gjykata Kushtetuese ende nuk ka kthyer përgjigjen mbi mënyrën e fshehtë të votimit të kërkuar për interpretim nga grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po kërkojnë komision për mbikëqyrjen e procesit të votimit të fshehtë për zgjedhjen e Haxhiut kryetare e re e Kuvendit, në përpjekje për të dalë nga ngërçi politik.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA kanë përsëritur në vazhdimësi se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun dhe janë shprehur kundër votimit të fshehtë.