Sot përfundon periudha për konfirmimin e vëzhguesve të akredituar dhe aplikimin për vëzhgues shtesë për të vëzhguar raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025.
Përmes një komunikate për media, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar subjektet politike të certifikuara (pjesëmarrëse në raundin e dytë), OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, që tashmë janë akredituar se platforma elektronike është e qasshme për konfirmimin e vëzhguesve aktualë ose shtimin e vëzhguesve të rinj.
Afati për konfirmim dhe shtimin e vëzhguesve është deri më 3 nëntor 2025, në ora 16:00.
KQZ njofton se ID aktuale, të lëshuara nga KQZ dhe që janë përdorur për procesin zgjedhor të datës 12 tetor 2025, nuk do të jenë valide për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025./EO
