Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile “Bashkë kundër Korrupsionit”, edhe këtë vit do ta organizojë “Javën Kundër Korrupsion 5-9 dhjetor 2023”. Gjatë kësaj jave do të realizohen aktivitete të ndryshme që për synim kanë sensibilizimin kundër korrupsionit.
Pjesë e këtij koalicioni të organizatave joqeveritare në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2023” janë tri organizata: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja Fol dhe Iniciativa për Progres (INPO).
Për shënimin e kësaj Jave, Koalicioni i OJQ-ve, ka planifikuar që të ketë të ftuar të gjithë akterët vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë, me qëllim të sensibilizimit në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies sa i përket luftës kundër korrupsionit. Në kuadër të aktiviteteve gjatë kësaj jave do të trajtohet korrupsioni, integriteti, llogaridhënia, transparenca etj.
Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 5-9 dhjetor 2023”, Koalicioni i OJQ-ve ka planifikuar organizimin e shumë aktiviteteve, ku ndër të tjera është planifikuar të prezantohen edhe raporte konkrete lidhur me trajtimin e korrupsionit, ku pasqyrohen problemet dhe sfidat e institucioneve përgjegjëse në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie.
Sipas njoftimit, Koalicioni i OJQ-ve ka planifikuar që të mbahen tryeza të diskutimit me akterët relevant lidhur me luftën kundër korrupsionit, dhe po ashtu është planifikuar që të mbahen konferenca të ndryshme ku pritet prezantimi i shumë raporteve analitike.
“Ndjekja dhe gjykimi i korrupsionit”, “Parashkrimi i kriminalitetit”, “Korrupsioni në Prokurimin Publik”, “Ndikimi i korrupsionit në integrimin e Kosovës në BE”, “Tejkalimi i kompetencave nga Zyra Kombëtare e Auditimit”, “Amnistimi i mos deklarimit të pasurisë”, “Kushtetutshmëria e Qeverisjes”, “Ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë përmes deklarimeve publike”, “Transparenca e Qeverisë” dhe “Transparenca e Ndërmarrjeve Publike”, janë disa nga raportet që do të publikohen gjatë “Javës kundër Korrupsion 2023”.
Gjithashtu, Koalicioni i OJQ-ve gjatë kësaj Jave ka planifikuar që të realizojë edhe aktivitete tjera si: Simulimi i seancës së Kuvendit për miratimin e një rezolute anti-korrupsion dhe performanca artistike për shënimin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit.
Dinamika e shënimit të “Javës Kundër Korrupsion 2023”, përfshinë konferenca, tryeza dhe aktivitete të ndryshme në fusha të ndryshme që kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Motoja e “Javës Kundër Korrupsion 2023”, e Koalicionit të OJQ-ve është “Bashkë Kundër Korrupsionit”.