UBT News

Sot nis gjyqi ndaj Fatmir Shehollit

Sot do të mbahet seanca e parë gjyqësore ndaj Fatmir Shehollit, i cili përballet me aktakuzë për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Sipas aktakuzës së ngritur mw 25 gusht të këtij viti, Sheholli nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si “BIA”, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij.

“I pandehuri F.Sh. akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.Po ashtu, F.Sh. akuzohet për veprën penale “Shantazh”, pasi gjatë vitit 2022 deri në dhjetor 2025, e ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në shumën që tejkalon 13,000.00 euro.

Sipas aktakuzës, F.Sh. i ka kërkuar të dëmtuarit para në emër të huazimit, duke e kërcënuar se, në rast të mosdhënies së parave, do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e të dëmtuarit.

Rasti i ka kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit.

Sheholli tash e disa muaj gjendet në paraburgim nën dyshimin për spiunazh te BIA serbe.

Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar me 9 tetor 2025 Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh. /Kosovapress/A.K/

Exit mobile version