Në Bruksel sot zhvillohet takimi i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit.
Në këtë takim, delegacioni i Kosovës do të përfaqësohet nga Halil Cenaj. Kështu ka njoftuar kryetari i komisionit qeveritar për personat e zhdukur Andin Hoti, duke thënë se kërkesat e Kosovës kryesisht lidhen me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat.
Komisioni i Përbashkët do të kryesohet nga Bashkimi Evropian si dhe do të mbikëqyret nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
Në Kosovë vazhdimisht pati shqetësime që rrugës mund të dalin pengesa nga Serbia dhe se mund të zvarritet sërish ky proces.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e plotë të Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur me dhunë.
Familjarët nuk presin ndonjë rezultat nga ky takim pasi thonë që Serbia vazhdon të neglizhojë procesin për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, raporton KosovaPress.
Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues i Familjarëve të Personave të Pagjetur, thotë se kjo çështje humanitare nuk duhet të ndërlidhet me çështje politike.
Më 2023, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ndër zotimet në këtë deklaratë janë qasja në informacione të besueshme, përfshirë edhe atyre me status të kualifikuar dhe vënia në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi në përcaktimin e fatit të personave të zhdukur.
Mbi 13.000 civilë janë vrarë gjatë luftës së viteve 1998/99 nga forcat serbe, dhe për mbi 6.000 të zhdukur me dhunë, 1.600 prej tyre vazhdojnë të jenë të pagjetur.