Sot pasdite pritet të mblidhet kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku pritet të diskutohet dhe vendoset nëse do ta mbështesin Vjosa Osmanin për presidente ose jo.
Ndërkohë, është raportuar se kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, dje është takuar me Vjosa Osnamin, gjë që ende nuk është konfirmuar.
Lëvizja Vetëvendosje po e konsideron çështje ditësh zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente të vendit. Në partinë e Albin Kurtin nuk po presin probleme në konstituimin edhe të institucionit më të lartë të vendit. Ndërkohë, janë kategorik kundër një kompromisi të mundshëm për zgjedhjen e presidentit, jashtë emrit të Vjosa Osmanit.
Ndërkohë, Abdixhiku ka mbajtur takim edhe më herët me pretendenten për presidente, Vjosa Osmani, ku kishte thënë se brenda pak ditësh Osmani do të marrë përgjigje nga Lidhja Demokratike e Kosovës nëse do ta mbështesin ose jo për presidente të vendit.
Kurse, pas votimit të qeverisë së re, shtetet e Qunt-it kanë qenë aktive në kërkesën për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Quint-i ka thënë se “detyra e parë e institucioneve të reja të Kosovës është zgjedhja e presidentit”.
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 22 mars dhe në po të njëjtën ditë u votua qeveria e re e drejtuar nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.
Qeveria Kurti 2 mori besimin e 67 deputetëve. Për të votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të komuniteteve joserbe.
Ndryshe, partitë e komuniteteve joserbe po ashtu kanë shprehur mbështetjen edhe për zgjedhjen e Osmanit./KP