E përditësuar
11:43 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit të mbajtur sot në Tiranë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Ai vlerësoi këtë platformë si një mekanizëm të rëndësishëm për nxitjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe shkëmbimit të përvojave mes vendeve të rajonit.
“Sot Shqipëria mirëpret samitin e Procesit të Brdo-Brijuni-t, së bashku me Slloveninë dhe Kroacinë si bashkë kryesues të presidentes të Procesit të Brdo-Brijuni-t ne vlerësojmë për rolin e kësaj platformë si mekanizëm të rëndësishëm rajonal, temat që do të diskutohen sot lidhur me bashkëpunime rajonal, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, planin e rritjes së Bashkimit Evropian, rininë. Shqipëria mbështet dialogun rajonal, me fokus bashkëpunimin dhe procesin e integrimit evropian, vlerësojmë progresin e arritur në këtë drejtim. Për ne bashkëpunimi mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në BE. Duhet të vazhdojmë të shkëmbejmë eksperiencat dhe njohuritë tona për të pasur rezultate akoma më të prekshme të këtij procesi në Procesit të Brdo-Brijuni-t”, ka deklaruar Begaj./D.B/EO
Në Durrës sot pritet të nis Samiti i Iniciativës Bërdo-Brioni, i cili do të fokusohet në perspektivën evropiane të rajonit dhe zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, ku prezente pritet të jetë edhe presidentja Vjosa Osmani.
Samiti mbahet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së” dhe organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviq, ndërsa drejtohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Samiti dyditor i Brdo-Brijunit mbahet këtë vit në Shqipëri, në Golem dhe në fokus pritet të jenë çështjet që prekin rajonin, si dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor.
Temat e diskutimeve lidhen me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, Planin e Rritjes së BE-së, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos të rinisë.
Veç seancës plenare dhe konferencës për shtyp që Presidenti Begaj do të mbajë së bashku me homologët e Sllovenisë dhe Kroacisë, shtetet bashkëkryesuese të “Brdo-Brijuni-t”, përgjatë punimeve të këtij samiti janë parashikuar edhe takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës.
Ky samit pritet të dalë me konkluzionet përkatëse, të cilat konsiderohen si shtysë për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse dhe progresit të tyre.
Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Procesit të Brdo-Brijuni-t, iniciativë e vitit 2010 e Sllovenisë dhe Kroacisë, dy shtete anëtare të BE-së./S.K/EO/