Sot fillon faza e dytë e procesit mësimor. Ministria e Arsimit njofton se nga sot do të kthehen në shkollë me mësim të kombinuar edhe nxënësit e klasave 7, 8, 9 dhe 11, 12, përveçse nëse menaxhmenti i shkollës dhe task forca e secilit institucion, pasi të ketë vlerësuar situatën, mund të vendosin për ndonjë skenar tjetër, në mënyrë që të respektohen strikt rregullat e Udhëzuesit për organizimin e mësimit në kushte pandemie.
MASH-i ju ka bërë thirrje nxënësve të jenë më të vëmendshëm dhe t’i respektojnë rregullat dhe rekomandimet e dhëna për mbrojtje nga COVID-19.
“Nxënës të dashur, ju lutem që të jeni të vëmendshëm dhe të respektoni rregullat dhe rekomandimet për mbrojtje nga COVID-19. Ju lutem, po ashtu, prindërve që të flasin më shpesh me fëmijët e tyre, në mënyrë që kjo situatë e re për gjithë botën, të jetë më e lehtë dhe të kalojmë sa më shpejt në normalitet.Ministria e Arsimit dhe të gjitha institucionet tjera relevante do të jenë në çdo kohë afër juve.Të gjithë bashkë, mund t’ia dalim që të mbajmë shkollat hapur për Ju, për Kosovën.”, thuhet në njoftimin e MASH-it./UBTNews