Sot shënohet Dita Botërore kundër Kancerit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit miliona njerëz vdesin nga kanceri, shumica në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. As në Kosovë nuk është gjendje më e mirë.
Klinika e Onkologjisë dhe Shoqata e Onkologëve të Kosovës (SHOK), organizojnë sot aktivitet me rastin e Ditës Botërore të Kancerit, 4 shkurtit.
Tema do të jetë “Sëmundjet malinje, sfidat e menaxhimit të tyre në vendin tonë dhe në botë, me fokus gjatë pandemisë”.
Ndërsa, përmes ndërmarrjes së hapave për zbatimin e udhëzimit të ri të OBSH-së, planifikuesit e kujdesit shëndetësor mund të përmirësojnë diagnostikimin e hershëm të kancerit dhe të sigurojnë trajtimin e menjëhershëm, sidomos për kancerin e gjirit, cerviksit dhe atë kolo-rektal. Kjo do të rezultojë me më shumë njerëz që mbijetojnë kancerin.
Të gjitha vendet mund të ndërmarrin hapa për të përmirësuar diagnostikimin e hershëm të kancerit, sipas udhëzuesit të ri të OBSH-së për diagnostikimin e hershëm të kancerit, tre hapat e diagnostikimit të hershëm janë:
· Përmirësimi i ndërgjegjësimit publik për simptomat e kancereve të ndryshme dhe inkurajimi i njerëzve që të kërkojnë kujdesin kur paraqiten ato simptoma,
· Investimi në fuqizimin dhe pajisjen e shërbimeve shëndetësore dhe trajnimin e profesionistëve shëndetësorë ashtu që ata të mund të kryejnë diagnostikimin e saktë dhe me kohë,
· Sigurimin që njerëzit që jetojnë me kancer të mund t’i qasen trajtimit të sigurt dhe efektiv, përfshirë zbutjen e dhimbjes, pa përjetuar vuajtje frenuese personale apo financiare.