Federata e Çiklizmit e Kosovës do të organizojë gara çiklistike në datat 20 dhe 21 qershor 2025, çka do të sjellë bllokim të përkohshëm të qarkullimit për automjete në disa segmente rrugore të rëndësishme në vend.
Sipas njoftimit zyrtar, bllokimet do të jenë si më poshtë:
Më 20 qershor (e premte), nga ora 10:00 deri në 14:00, do të mbyllet përkohësisht autostrada “Arbën Xhaferi”, në drejtimin Prishtinë – Hani i Elezit, nga hyrja/dalja Lipjan deri te hyrja/dalja Bibaj.
Më 21 qershor (e shtunë), nga ora 09:00 deri në 16:00, gara do të vazhdojë në relacionin autostrada “Arbën Xhaferi” – hyrja/dalja Bibaj – Babush – Lipjan – Prishtinë (Uglar) – Bresje – Rruga nacionale N9 deri në Gjergjicë – Autostrada “Ibrahim Rugova” – Malishevë – Duhel dhe anasjelltas.
Policia e Kosovës njofton se do të jetë e pranishme në terren me masat dhe veprimet e nevojshme për menaxhimin e trafikut, duke kërkuar nga qytetarët mirëkuptim dhe sugjeron përdorimin e rrugëve alternative për të shmangur pritjet dhe vonesat.