Sot me 29 maj, hyrjet kryesore të kryeqytetit do të mbyllen për dy orë nga bizneset, si formë proteste kundër liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.
Automjetet e kompanive që preken nga ky vendim do të bllokojnë rrugët nga ora 10:00 deri në 12:00. Bizneset kërkojnë shtyrjen e këtij vendimi dhe nisjen e një dialogu me qëllim gjetjen e zgjidhjeve që të mos ndikojnë rëndë në sektorin privat.
Në mungesë të përgjigjes nga institucionet, Oda Ekonomike ka paralajmëruar protesta të ngjashme në ditët në vijim. Ndërkaq, Qeveria në detyrë ka deklaruar se do të mbështesë prodhuesit gjatë këtij procesi.
Policia e Kosovës njoftoi se do të marrë masat e nevojshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë, duke orientuar automjetet në rrugë alternative gjatë kohës së bllokimeve.
Sipas vendimit të ZRRE-së, bizneset me mbi 50 punëtorë dhe me qarkullim mbi 100 milionë euro duhet të zgjedhin furnizues me çmime të lirë, jashtë kontrollit të ZRRE-së. Por Oda Ekonomike thekson se në tregun e lirë çmimet janë rritur deri në 200% më shumë.
Lokacionet ku do të bëhen bllokimet janë:
-
Hyrja nga Veterniku dhe Gjilani, duke përfshirë zonën nga Albi Mall dhe rrugët që lidhen me hyrjet nga Ferizaj, Gjilan dhe Aeroporti.
-
Hyrja nga Fushë-Kosova dhe Mitrovica, me bllokim në rrethin e Madh te Lakrishtja (Dukagjini Tower).
-
Hyrja nga Podujeva dhe në lagjen e Vranjevcit, përfshirë udhëkryqin pranë ish-Humanistit dhe bankës Raiffeisen, duke kufizuar edhe lëvizjet nga Dragodani drejt Shkabaj/Orlloviq.