I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë Peter Sorensen, pritet që javën tjetër ta vizitojë Kosovën.
Ai pritet të qëndrojë në Kosovë mes 18 dhe 19 marsit.
Kjo do të jetë vizita e parë e diplomatit danez në Prishtinë, i cili mori detyrën e emisarit për dialogun e Brukselit më 1 shtator të vitit të kaluar.
Këtë pozitë për gati pesë vjet e mbajti sllovaku, Miroslav Lajçak.
Sorensen do të vizitojë Kosovën për të përgatitur vazhdimin e procesit të dialogut në kuadër të së cilit për muaj nuk ka pasur lëvizje. Ndër temat e para që do të mund të diskutohen është zbatimi i deklaratës për të pagjeturit, për të cilën palët kishin rënë dakord, por takimi i fundit në Bruksel në nivel të ekspertëve kishte dështuar.
Nga ana tjetër përfaqësuesja e re e lartë e BE-së Kaja Kallas ka thënë para disa javësh që gjatë muajit mars do të shikojnë se si të ecet përpara në procesin e dialogut duke përmendur po ashtu edhe faktin se ka kritika ndaj formatit të deritashëm të këtij procesi.