UBT News

Sorensen diskuton në Paris dhe Berlin lidhur me avancimin e dialogut Kosovë-Serbi

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, ka thënë të enjten se në dy ditët e fundit ka biseduar në Paris dhe Berlin për mënyrat se si mund të avancojë procesi i dialogut.

Mirënjohës për mbështetjen e tyre të plotë për përpjekjet e mia”, ka thënë Sorensen përmes një postimi në X – dikur Twitter, teksa ka publikuar fotografi me zyrtarë të të dyja shteteve.

Deklarata e tij ka ardhur në ditën kur kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka thënë se ka dëgjuar kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut mes dy vendeve, dhe ka paralajmëruar që së bashku me Sorensenin do të analizojnë mundësi si mund të bëhet proces funksional.

Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Në vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, dhe në nivel kryenegociatorësh.

Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të të dërguarit të kaluar të bllokut, Mirosllav Lajçakut, në fillim të vitit 2023 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve.

Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për palët, ka thënë blloku evropian, i cili i ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit.

Exit mobile version