Sony ka njoftuar se do të rrisë çmimet e të gjitha modeleve të konsolave PlayStation 5 në Shtetet e Bashkuara duke filluar nga e enjtja, 21 gusht. Rritja arrin deri në 50 dollarë, me modelin më të shtrenjtë, PS5 Pro, që tani do të ketë një çmim të rekomanduar prej 749.99 dollarësh.
Në një postim në blog, Isabelle Tomatis, zëvendëspresidente e marketingut global në Sony Interactive Entertainment, tha se vendimi është marrë për shkak të një “mjedisi ekonomik sfidues” dhe rritjes së kostove.
Modeli standard i PlayStation 5 do të kushtojë 499.99 dollarë, ndërsa çmimet e aksesorëve të kësaj linje do të mbeten të pandryshuara. Kompania nuk ka bërë të ditura ndryshime të tjera për tregjet jashtë SHBA-së.
Rritja vjen në një kohë kur kompanitë teknologjike po përballen me tarifa të reja për importet nga Japonia dhe me një ngadalësim të përgjithshëm të tregut të videolojërave. Sony kishte zbatuar rritje të ngjashme më herët këtë vit edhe në tregje si Mbretëria e Bashkuar dhe Europa. Kompani të tjera, përfshirë Nintendo, kanë ndjekur një qasje të ngjashme në rritjen e çmimeve të produkteve të tyre.