Identifikimi i modeleve të ndryshme të telefonave Sony shpesh është sfidues, edhe për fansat më të përkushtuar të markës. Megjithatë, Xperia 10 VII duket se do të sjellë një ndryshim të dallueshëm në krahasim me paraardhësit e tij.
Ky model i ri i rangut të mesëm pritet të dalë së shpejti dhe risia më e dukshme ka të bëjë me dizajnin e kamerave të pasme. Ndryshe nga Xperia 10 VI, i cili kishte dy kamera të vendosura vertikalisht, te Xperia 10 VII ato do të jenë të orientuara horizontalisht. Edhe pse në pamje të parë mund të duket si një ndryshim i vogël, për një markë si Sony, që tradicionalisht ka ndjekur një stil të caktuar, kjo paraqet një lëvizje të rëndësishme në aspektin vizual.
Fotot e para të këtij modeli tashmë janë publikuar në internet, ndërsa pritet që prezantimi zyrtar të ndodhë së shpejti. Vlen të përmendet se Xperia 10 VI u prezantua në qershor të vitit të kaluar, ndaj modeli i ri konsiderohet disi i vonuar në ciklin e tij të lansimit.
Për herë të fundit, një telefon Sony me kamera të vendosura horizontalisht ishte Xperia 10 i vitit 2019, çka e bën rikthimin e këtij elementi të dizajnit diçka jo të zakonshme.
Aktualisht, specifikimet teknike të Xperia 10 VII mbeten të panjohura.