UBT News

Sondazh: Shumica në rritje e britanikëve mendojnë se Brexit ishte një gabim

Sipas një sondazhi të ri, vetëm 43% e popullsisë britanike konsiderojnë se largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian ishte vendim i mirë, ndërsa 57% besojnë se ishte gabim.

Të dhënat që u publikuan të mërkurën nga John Curtice, president i Këshillit Britanik të Sondazheve, përfaqësojnë një ndryshim të rëndësishëm nga rezultatet e vitit 2016, kur pothuajse 52% e elektoratit britanik votuan për t’u larguar nga BE.

“Brexit është ndoshta sot në nivelin më të ulët të popullaritetit që nga qershori i vitit 2016”, tha Curtice para mediave të mërkurën.

Sipas sondazhit, tendenca pro-BE u bë më e dukshme sidomos pas vjeshtës së vitit 2021, kur për shkak të mungesës së shoferëve të kamionëve, Britania s’mund të blente mallra të importuara.

Në atë kohë, analistët argumentuan se shumë nga këta shoferë kamionësh ishin nga Evropa Lindore, por tërheqja nga tregu i vetëm, i cili siguron lirinë e lëvizjes për punëtorët, i shtyu ata të kërkonin mundësi më të mira në kontinent.

Kriza e vazhdueshme e kostos së jetesës, e nxitur nga inflacioni dhe çmimet e energjisë, ka zgjeruar më tej hendekun midis atyre që mbështesin Brexit-in dhe atyre që pendohen për të, tha Curtice, megjithëse është shumë herët për të arritur në përfundimin se britanikët në fakt do të rishqyrtojnë rezultatin e referendumit./UBTNews/

Exit mobile version