Sipas një sondazhi nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Gjermania vazhdon të jetë një destinacion tërheqës për punëtorët e kualifikuar nga jashtë. Megjithatë një numër i madh i punëtorëve të huaj që tashmë jetojnë në Gjermani raportojnë se racizmi dhe diskriminimi janë pjesë e jetës së tyre të përditshme.
Çfarë tregoi sondazhi?
Duke filluar nga gushti i vitit 2022, sondazhi analizoi karrierën profesionale të 30 mijë njerëzve me kualifikim të lartë, të cilët thanë se janë të interesuar për Gjermaninë si një destinacion punësimi.
Një vit më vonë, studimi tregoi se vetëm rreth 5% e bënë këtë lëvizje. Nga ata që ia dolën, më shumë se gjysma thanë se janë përballur me diskriminim kur bëhet fjalë për marrjen me qira ose blerjen e banesave.
Ndërkohë, 37% e të anketuarve kanë thënë se janë përballur me diskriminim gjatë vizitës në restorante apo në dyqane.
Kjo ishte më e rrallë në marrëdhënie me shkolla dhe autoritete publike, me përjashtim të zyrave të imigracionit. E njëjta vlen edhe për vendin e punës.
Rreth 15% thanë se janë përballur me diskriminim nga policia dhe 28% thanë se janë përballur me diskriminim në vendin e punës./UBTNews/