Një shumicë dërrmuese e popullsisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës mendon se vendi po përjeton krizë të shëndetit mendor, sipas një sondazhi të ri nga CNN në partneritet me Fondacionin Kaiser Family.
Nëntë nga dhjetë të rritur besojnë se ShBA përballet me krizë të shëndetit mendor. Më shumë se gjysma i identifikuan problemet e shëndetit mendor te fëmijët dhe adoleshentët si krizë, ndërkaq te të rriturit si sëmundje të rënda mendore.
Sondazhi u realizua gjatë verës me 2 mijë pjesëmarrës të moshës së rritur – 2 vjet e gjysmë pas pandemisë COVID-19 dhe mes kërcënimeve të vazhdueshme rreth shëndetit publik, sikurse racizmi dhe dhuna me armë.
“Pandemia COVID-19 nxiti shumë faktorë që ne e dimë se mund të rrisin rrezikun e përdorimit të substancave dhe sëmundjeve mendore”, tha Dr. Nora Volkow, drejtore e Institutit Kombëtar për Abuzimin me Drogën.
Të dhënat nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregojnë se vdekjet nga mbidoza e drogës arritën nivele rekord në vitin 2021 dhe shkalla e vetëvrasjeve u kthye pranë një niveli rekord pas dy vitesh rënie. Dhe në vitin 2020, vizitat te mjeku në lidhje me problemet e shëndetit mendor u rritën me 31% mes adoleshentëve të moshës 12-17 vjeç.
Sipas sondazhit të CNN dhe KFF, rreth gjysma e të rriturve thonë se janë përballur me krizë të shëndetit mendor në familjet e tyre./UBTNews/