Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva tha se ka marrë premtim nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia se edhe sallat e dasmave do të hapen.
Ndonëse nuk ka dhënë ndonjë afat, Sogojeva thotë se pas takimit gjashtë orësh që kanë pasur dje me ministrin, kanë rënë dakord që nga e hëna të rifillojnë punën sektori i gastronomisë dhe ai i hotelerisë, por me kufizime. Ai thotë se ndonëse të dielën temë e takimit nuk ishte lejimi i mbajtjes së dasmave, kanë marrë zotimin e ministrit Vitia se kërkesat e tyre do të realizohen.
“Nuk kemi lyp diçka jashtë normales po kemi lyp ato që mund të realizohen dhe kemi gjetur një ujdi një bashkëpunim me ministrin aktual Vitia. Në kuadër të kësaj kemi pasur takim jo vetëm dje, por edhe më herët dhe na është premtuar që kërkesat do të realizohen. Dje kemi mbajtur takim, para se me u marrë vendimi. Është marrë një vendim i tillë, zgjatja e takimit prej 6 orësh ka dhënë rezultat, zgjatja e orarit të punës ka qenë falë angazhimit e kemi mundësuar që ministri me u pajtuar që të jetë deri ne ora 22:00. Në këtë drejtim, jemi zotuar që kërkesat e tyre të shkojnë në vendin e duhur, por dje nuk ka qenë temë kjo. Ne dje kemi pasur temën vetëm hapja e gastronomisë dhe hotelerisë si dhe qendrave tregtare”, deklaroi ai.
Sogojeva ka pohuar se tash e tutje asnjë vendim i Qeverisë që ka të bëjë me vendosjen e masave të reja nuk do të bëhen pa konsultimin e tyre.
Qeveria dje ka marrë vendim për miratimin e masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Në kuadër të këtij vendimi rihapet gastronomia lokalet hoteliere dhe qendrat tregtare. Kufizim të lëvizjes do të ketë nga ora 22:30 deri në ora 05:00 të mëngjesit.