Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT) të martën ka mbajtur gala mbrëmje me anëtarët e saj nga shtatë rajonet vendit. Kryetari Hysen Sogojeva i falënderoi të pranishmit për kontributin në ekonominë vendëse.
Duke përmendur vendet e rajonit që kanë përqindje të vogël të TVSh-së, Sogojeva premtoi se do të bëjnë çmos që kjo të ulet në 8 për qind, nga 18 për qind sa është aktualisht. Madje ai bëri thirrje që të hiqet edhe akciza për derivatet e naftës.
“Ndihem mjaft i privilegjuar që jam në mesin tuaj dhe që mbroj interesat e tua, do të bëjmë maksimumin që interesat e tuaja t’i mbrojmë me çdo kusht. Ne do të luftojmë së bashku me ju por ju premtoj që së bashku me juve do të punojmë për uljen e TVSh-së prej 18 për qind në 8. Krejt rajonet e kanë 6 ose 8 për qind, vetëm ne e kemi 18 për qind. Të gjitha trajnimet që lidhen me standardet ndërkombëtare për hotelieri, ne do t’i avancojmë”, u shpreh Sogojeva.
“Mos me pas qenë Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, po ju garantojmë se 40% të punëve që i keni bërë gjatë pandemisë, e kishit pas punën më keq. Ne do të luftojmë që Qeveria e Kosovës ta heq akcizën për naftë, së paku të kemi ulje”, u shpreh tutje Sogojeva.